Paralajmëron Shell: Krizë karburanti në Europë, shkak situata në Ngushticën e Hormuzit
Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit mund të sjellë mungesë nafte dhe benzine brenda javësh.
Alarmi nga Shell për furnizimin global
Kreu i kompanisë Shell, Wael Sawan, ka paralajmëruar se nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet, presioni mbi furnizimin me naftë, dizel dhe benzinë do të jetë i menjëhershëm. Ai theksoi se Europa mund të përballet me mungesë serioze karburanti brenda pak javësh, duke shtuar se situata mund të përkeqësohet që në muajin prill nëse korridori strategjik mbetet i bllokuar.
Kriza po përhapet nga Azia drejt Europës
Duke folur në një konferencë energjie në Teksas, Sawan deklaroi se kriza ka nisur të përhapet në mënyrë zinxhir nga Azia drejt Europës. Fillimisht goditi Azinë Jugore, më pas atë Juglindore dhe Verilindore, ndërsa tani po i afrohet tregjeve europiane, në një moment kur kërkesa për energji pritet të rritet ndjeshëm.
Luhatje çmimesh dhe rrezik për furnizimin
Në tregjet ndërkombëtare, çmimi i naftës ka pësuar luhatje të forta, duke rënë në rreth 100 dollarë për fuçi nga 114 dollarë në fillim të javës, pas lajmeve për një plan paqeje të propozuar nga SHBA ndaj Iranit. Megjithatë, sipas ekspertëve, kjo rënie nuk ndryshon thelbin e problemit, pasi nëse nafta dhe gazi nuk kalojnë përmes Hormuzit, furnizimi global mbetet i rrezikuar.
Rritje e fortë e çmimeve të produkteve
Sipas Sawan, ndikimi i krizës tashmë po ndihet në produkte konkrete. Çmimi i karburantit të avionëve është dyfishuar që nga fillimi i konfliktit, ndërsa presioni po kalon te dizeli dhe më pas te benzina, sidomos me afrimin e sezonit veror kur kërkesa rritet në SHBA dhe Europë.
Paralajmërime nga politika dhe tregjet
Ministrja gjermane e ekonomisë, Katherina Reiche, paralajmëroi se mungesat në furnizim mund të shfaqen nga fundi i prillit ose në maj nëse situata nuk stabilizohet, duke theksuar edhe pasojat e vendimeve strategjike energjetike. Ndërkohë, kreu i BlackRock, Larry Fink, paralajmëroi se nëse çmimi i naftës arrin në 150 dollarë për fuçi, ekonomia globale mund të përballet me një recesion të fortë.
Hormuzi, pika kyçe e krizës
E gjithë situata mbetet e lidhur me fatin e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin e energjisë në botë. Nëse ajo nuk rihapet, Europa rrezikon të përballet me një krizë energjie më shpejt nga sa ishte parashikuar.